|

Si mund të konsumojmë sheqerin në mënyrë të shëndetshme

A e dini se pse çdo vit europianët konsumojnë mesatarisht 24 kilogramë sheqer për person, e barabartë kjo me 65 gramë në ditë, pra diçka më shumë se tri apo katër lugë. Pyetja e parë që të vjen ndërmend është se nga del gjithë kjo sasi sheqeri ku ne fiksojmë vetëm atë që i hedhim kafesë në mëngjes. Problemi i vërtetë është se sheqernat mund të merren edhe përmes ushqimeve të tjera që hamë gjatë ditës. Për shembull, makaronat, drithërat, frutat, djathërat, pijet e ndryshme, madje edhe perimet aq shumë të shëndetshme përmbajnë sheqerna. Megjithatë, për të evituar që të shëndoshemi duhet të dimë se cili është momenti i duhur gjatë ditës për t’iu dedikuar ëmbëlsirave. Për sa i përket kohës se kur duhen konsumuar në lista nis me atë para se të merremi me sport. Sheqernat mund të konsiderohen një benzinë e vërtetë për trupin tonë, sepse porsa hahen shndërron menjëherë në energji. Për këtë arsye nëse konsumohen para palestrës, në doza të vogla, mund të japin energji të madhe dhe vitalitet. Pastaj lista vazhdon me periudhën përpara ciklit menstrual te femrat: në tru sheqernat favorizojnë prodhimin e substancave natyrale që ulin ankthin dhe stabilizojnë humorin. Sigurisht, gjithmonë në doza të vogla. Mirë është t’i përdorim edhe përpara ndonjë mbledhjeje apo ndonjë provimi, sepse sinapset, d.m.th lidhjet mes qelizave nervoze funksionojnë më mirë në prani të glukozit. Po ashtu, para një mbledhjeje pune apo një provimi në universitet mund të jetë një ide e mirë për të ngrënë pak ëmbëlsirë. Por nëse këto janë momentet më të përshtatshme për të ngrënë ëmbëlsira gjatë ditës, ja cilat janë momentet kur nuk duhet të mendojmë t’i fusim në gojë. Së pari, pas palestrës. Edhe pse sforcimi i madh ju ka shtuar oreksin mos bini pre e dëshirës për të ngrënë ëmbëlsira. Muskujt kanë nevojë për proteina për ta rimarrë veten dhe për të eliminuar acidin laktik. Edhe pas vakteve, ëmbëlsirat nuk rekomandohen, pavarësisht se te shumë njerëz është krijuar bindja se ai është moment shumë i mirë. Kështu nëse keni ngrënë një vakt makarona, oriz apo bukë, nevoja juaj për sheqerna është plotësuar ndaj nuk keni nevojë të shtoni të tjera. Mendoni se e gjitha që do të hani do të njësohet me shtimin në peshë. “Nuk është mirë të hani ëmbëlsira pas vakteve. Kjo, jo për shkak të lidhjeve me ushqimin, por për shkak të sasisë së lartë të karbohidrateve që ato përmbajnë”, thonë specialistët. Këshilla e fundit, mos bëni kurrë gabimin që t’i hani para se të flini. Siç e kemi thënë ëmbëlsirat i japin energji trupit. Për këtë arsye nëse konsumohen para gjumit rrezikon ta kalosh natën pa vënë gjumë në sy dhe për më tepër me disa kilogramë më shumë nëse ky zakon përsëritet.
Të parezistueshme
Por edhe pse e dimë që nuk janë shumë të mira për shëndetin, pothuajse të gjithë nga të vegjlit te të rriturit, i pëlqejnë ëmbëlsirat. Torta me krem, biskota, brioshë, karamele apo bonbone. Për të mos folur pastaj për akulloret dhe mijëra recetat me bazë çokollatat. T’i rezistosh shijes së tyre është e pamundur. Jo rastësisht, sipas statistikave të ndryshme, europianët konsumojnë pothuajse 25 kilogramë për person në vit, përfshi këtu torta, çokollata, karamele. Në praktikë, 68.5 gramë në ditë. Në krye të klasifikimit europianët renditen të parët se konsumojnë rreth 160 gramë në ditë, danezët me 113 dhe finlandezët me 107.4 gramë. Po përse na pëlqejnë kaq shumë ëmbëlsirat? A janë të rrezikshme për shëndetin? Kush i ka krijuar i pari? Edhe pse produktet e ëmbla janë një shpikje e tre shekujve të fundit, tërheqja ndaj të ëmblave është e vjetër sa vetë bota. Duke nisur që nga lindja, sepse qumështi i gjirit është “ëmbëlsira” e parë që provojmë sapo përshëndetemi për herë të parë me botën. “Në kohët e lashta, nëse njeriu do të kishte preferuar një fletë sallate në vend të një fiku të pjekur, i pasur me sheqer dhe me vlera të mëdha ushqimore, nuk do t’i kishte mbijetuar urisë”, shpjegon një specialist ushqimi. Ndaj edhe kjo lloj sjelljeje ka ngelur gjatë në kujtesën e njerëzve. Të hash ëmbëlsira, të bën të ndihesh mirë. Ky proces nuk ka vetëm efekt psikologjik. “Insulina, hormoni që kontrollon sasinë e glukozit në organizëm, nga njëra anë rrit nivelin e endrofinës (substanca analgjetike dhe eksituese që prodhohen nga truri), ndërsa nga ana tjetër arrin të lëshojë në gjak seurotoninë, një neurotransmetues i lumturisë. Stimulimi i tepërt sjell rezistencë dhe kërkon doza gjithmonë e më të mëdha, duke ndikuar edhe në rritjen në peshë”, shpjegon më tej ai. Në të vërtetë, pak ëmbëlsirë të bën mirë, por pa e tejkaluar masën.
Po kur u krijuan për herë të parë ëmbëlsirat? Të parat që erdhën në dritë ishin biskotat, që u shfaqën në kohën e parë të agrikulturës, gjatë neolitit, kur një përzierje drithërash me ujë ra aksidentalisht mbi një pllakë guri të vendosur mbi zjarr. Ky, ishte vetëm fillimi. Që atëherë ëmbëlsirat janë shfaqur në banketet e babilonasve, egjiptianëve (një tortë me qumësht, susam dhe mjaltë u gjet në varrin e faraonit Pepionkh, që jetoi në vitin 220 para Krishtit) dhe grekëve, që i ofronin Artemidës biskota në formë briri. Në Romën e lashtë janë gjetur edhe recetat e para, ku më e çuditshmja ishte një tortë me djathë, miell dhe vezë. “Lindja e ëmbëlsirave të vërteta është e lidhur me evoluimin e produkteve të brumit, sidomos bukës”, tregon drejtori i Akademisë europiane mbi ushqimin dhe ushqyerjen. “Është një derivat i bukës. Në raste festash ose ritesh të veçanta, si për shembull në ndërrimin e stinëve, bukës i shtoheshin edhe produkte të tilla si fruta të thata, apo rrush i tharë”. “Pastiçeria e parë e kohëve moderne ka lindur në vitin 1700, në Francë”, tregojnë historianët. Ndërsa zakoni i të ngrënit ëmbëlsirë në fund të vakteve, në shumë vende europiane nisi pas viteve 1880. Më përpara, ëmbëlsirat konsumoheshin gjatë gjithë drekës. Për shembull, në kohën e rilindjes banketet hapeshin gjithmonë me antipastë, pjesën më të madhe të së cilave e përbënin ëmbëlsirat. Sot ka ngelur shumë pak nga ajo traditë. Është bërë zakon që drekat, banketet, apo çdo ngjarje tjetër, të nisë me ushqimet e kripura, për t’u ëmbëlsuar vetëm në fund.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 3:46 p.d.. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added