|

Jahjaga: Për interesa të shtetit, do ta takoja edhe Tadiqin

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të njësive speciale të policisë në veriun e Kosovës ishte legjitim dhe se institucionet e Kosovës duhet të kenë ingerenca në tërë territorin e Kosovës.
“Në Bruksel janë arritur disa marrëveshje dhe është pritur që deri në fund të vitit të merremi vesh edhe për pesë ose gjashtë çështje tjera, nga njëzet sa ishin në rendin e ditës. Në raundin e fundit Serbia nuk erdhi në bisedime ndaj nuk kishte zgjidhje tjetër që të mbrohen interesat e Kosovës dhe banorët e saj pos që të vendosen masat e reciprocitetet në marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo për agjencinë "Beta", transmeton "B92".
Sipas presidentes, para 25 korrikut kufiri në veriun e Kosovës ishte arenë e tregtisë ilegale dhe e krimit të organizuar, gjë që ka dëmtuar interesat e Kosovës.
“Me vendimin e Qeverisë së Kosovës është dërguar një kontingjent i caktuar i forcave të Policisë së Kosovës që t’ua mundësojnë policisë dhe doganierëve zbatimin e detyrave”
Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtar se aksioni është ndërmarrë pa konsultime, Jahjaga thotë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.
“Vendimet dhe përgjegjësit për ndërmarrje të aksioneve dhe për gjendje të sigurisë i takojnë Qeverisë së Kosovës”, thotë ajo dhe shton se “EULEX- nuk është dëshmuar të jetë i suksesshëm në luftimin e tregtisë ilegale në krimin e organizuar”.
E pyetur të komentojë qëndrimet se prapa bllokimit të rrugëve dhe incidenteve qëndrojnë zyrtarët e Beogradit, ajo thotë se “përderisa nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, është e qartë se çdo kyçje e strukturave të Serbisë, pa njohuritë dhe pajtimin e institucioneve të Kosovës, është i paligjshëm”.
Presidentja Jahjaga thotë se dalja nga kjo situatë qëndron te respektimi i kushtetutshmërisë dhe ligjit. Ndërsa në pyetjen se a do ta takonte Tadiqin, ajo shton se “se për interesa të shtetit është në gjendje të takohet me secilin”.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 4:33 p.d.. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added