Interneti fajtor për memorie të dobët?
Përdorimi i shpeshtë i kërkuesit të internetit dhe baza e të dhënave siç janë Google dhe IMDb.com, shkakton humbjen e memories të njerëzve, thonë shkencëtarët amerikanë.Duke studiuar të ashtuquajturin “Efekti Google”, studiuesit nga universiteti Kolumbia në Nju Jork kanë konkluduar se njerëzit nuk i mbajnë mend të dhënat nëse e dinë se ku mund të sigurojnë lehtë përgjigjet e caktuara.
Shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit gjithnjë e më shpesh iu shmangen bisedave me miqtë dhe përdorin internetin si burim kryesor të informacioneve, ndërsa fajtorë kryesor sipas tyre janë kërkuesit e popullarizuar si Google, Bing, Yahoo dhe baza e të dhënave Wikipedia dhe ueb sajti për informacione mbi filmat, IMDb. Udhëheqësja e studimit, profesoresha Betsi Sparou thotë se ndihma e internetit ka ndikuar që informacionet të harrohen lehtë, por edhe krijojnë ndjenjën e frustrimit nëse të dhënat e kërkuara nuk mund të gjenden shpejt. “Duke iu falënderuar Google dhe kërkuesve tjerë mundemi që një pjesë të memories sonë t’ia lëmë makinave”, thotë psikologu nga universiteti i Uashingtonit Rodi Rediger, i cili po ashtu ka marrë pjesë në hulumtim. Studimi “Ndikimi i Google në memorie” është publikuar në numrin më të ri të revistës “Science”.

