|

SHBA, sa e vështirë është të bëhesh doktor…

Nga gara për t’u futur në shkollë, te studimet e vështira. Një nga vendet e botës ku nuk është e lehtë të bëhesh mjek, është edhe Amerika. Ja se çfarë duhet të “heqin” studentët, që në të ardhmen duan të bëhen doktorë me emër
Mjekësia është një degë e vështirë, këtë e dimë të gjithë dhe për t’ia arritur qëllimit na duhet shumë punë. Një nga vendet e botës, ku nuk është e lehtë të bëhesh mjek, është edhe Amerika. Hapi i parë që duhet të ndjekësh është frekuentimi i një shkolle mjekësore. Më shumë se 120 shkolla amerikane ofrojnë programe studimore për ata që duan të bëhen doktorë në të ardhmen. Studentët mund të marrin informacione për shkollat mjekësore nga shumë burime. Njëri prej tyre është një publikim i titulluar “The Princeton Review”, që jep informacione rreth kolegjeve, programeve të studimit dhe punëve të ndryshme. Sipas “The Princeton Review”, gara për t’u futur në shkollat mjekësore është shumë e fortë. Këto institucione presin jo më shumë se 60 mijë prurje të reja çdo vit, edhe pse kërkesat janë sa dyfishi e ndonjëherë trefishi i kësaj shifre. Shumica e atyre që kërkojnë të studiojnë për mjekësi janë femra. Pjesa më e madhe e tyre konkurrojnë në disa shkolla njëkohësisht. Testet që bëhen në mënyrë elektronike japin përgjigjen në kohë reale. Aplikantët testohen kryesisht në shkenca biologjike dhe fizike, përveç pyetjeve logjike dhe një eseje. Për më tepër ata duhet të kenë mbaruar shkollën me rezultate shumë të mira. Ata që duan të bëhen mjekë zakonisht studiojnë shumë biologji, kimi dhe shkenca të tjera. Shumë studentë punojnë për një apo dy vjet në fushën e mjekësisë para se të futen në shkollën e mjekësisë. Për më tepër para se të fillosh studimet duhet të kryesh një intervistë apo takim të drejtpërdrejtë të detyruar me profesorët. Intervistuesi kërkon të dijë nëse personi i interesuar i kupton kërkesat e jetës si një student mjekësie apo doktor i ardhshëm. Për më tepër ata duan të dinë synimet e këtyre studentëve në jetën e tyre kushtuar mjekësisë. Një tjetër problem për ata që vendosin të studiojnë mjekësi në Shtetet e Bashkuara janë edhe paratë. Të arsimohesh për mjekësi mund të kushtojë shumë. Një vit në një kolegj mjekësor privat mund të kushtojë 40 mijë dollarë ose edhe më shumë. Kostoja mesatare në një shkollë publike mjekësore kap shifrën e më shumë se 15 mijë dollarëve. Shumë prej studentëve janë të detyruar të marrin kredi për të mbaruar studimet. Mjaft prej tyre e përfundojnë shkollën të zhytur në borxhe. Amerikanët bëhen mjekë duke u futur në ushtri, në marinë apo në shërbimin shëndetësor publik. Në këtë rast atyre nuk u duhet të paguajnë shumë, por në shkëmbim u duhet të kalojnë shtatë vjet në shërbimin qeveritar. Por doktorët janë ndër njerëzit më të paguar në Amerikë. Mjekët në qytete të mëdha, të specializuar në shërbime të tilla, si për shembull okulistika, fitojnë më shumë se të tjerët. Të tjerë, në lagjet më të varfra, zakonisht fitojnë më pak. Pjesa më e madhe e studentëve i kalojnë pothuajse dy vitet e para të shkollës në dhomën e studimit. Fillimisht ata mësojnë gjithçka për trupin dhe pjesët e tij. Po ashtu ata nisin të studiojnë si t’i njohin dhe trajtojnë sëmundjet.
Në vitin e tretë ata nisin të punojnë me pacientët nëpër spitale. Doktorët më me eksperiencë që kanë trajtuar shumë pacientë gjatë punës së tyre shërbejnë si guidë për këta të rinj që duan të bëhen mjekë në të ardhmen.
Gjatë vitit të katërt, studentët nisin të kontaktojnë me spitalet e ndryshme për trajnimet shtesë që do t’u duhen, pasi të mbarojnë shkollën. Rivaliteti për të punuar në ndonjë spital me emër është i jashtëzakonshëm. Pjesa më e madhe e shteteve në Amerikë kërkojnë të paktën një vit eksperiencë në një spital, pasi ke mbaruar shkollën e mjekësisë. Por, siç e thamë, nëse arrin të fitosh emër dhe të punosh në një spital të mirë të ardhmen e ke të garantuar. Shërbimi që ofrohet është thuajse perfekt dhe gabimet në trajtimin e sëmundjeve janë të rralla. Për më tepër të hapen shumë dyer, për të qenë nëpër qendra kërkimore dhe shkencore. Të gjitha mundësitë mund të ofrohen, pavarësisht se nga vjen apo çfarë ngjyre ke. Nëse e meriton mund të japësh mësim edhe në universitetet më të mira për mjekësinë në vend. Por për të arritur të gjitha këto, mbi të gjitha të duhet shumë punë dhe një jetë e tërë kushtuar vetëm mjekësisë.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 3:35 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added