|

Beckham nuk pendohet që u transferua në SHBA

Mesfushori anglez David Beckham, nuk është bërë pishman që ka marrë vendim të transferohet në SHBA te LA Galaxy, ani pse ka mundur të luante në ligat më të forta evropiane.
Beckhami ka bërë një lëvizje befasuese kur u transferua në SHBA në verën e vitit 2007 nga Real Madridi. Shumë ekspertë e kanë vlerësuar këtë hap si të gabuar, duke thënë se Beckhami, shumë shpejt e ka mbyllur karrierën e futbollit në Evropë.
Ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Real Madridit edhe nëpërmjet aktivizimit në SHBA siguroi ftesën nga Përfaqësuesja e Anglisë.
Ai u rikthye dy herë në formë huazimi te Milani për të rënë në sytë e trajnerit të Anglisë, Fabio Capello.
"Unë nuk jam pishman. Unë gjithmonë kam qenë i sigurt para se të merrja ndonjë vendim. Njerëzit mund të mendojnë se ka qenë vendim i gabuar të transferohem në SHBA, por jam shumë i sigurt për vendimin që kam marrë. Unë kam qenë i suksesshëm në Evropë për shumë vjet, kam fituar shumë trofe me Manchester Unitedin dhe kam luajtur për dy skuadrat më të mëdha në botë. Po ashtu kam qenë i suksesshëm edhe në Real Madrid dhe e kam parë të arsyeshme që të nis një sfidë të re", ka thënë Beckham, njofton "Sky Sports News" të hënën. Beckhami firmosi një kontratë gjigante me skuadrën e MLS-së, në vlerë prej 250 milionë dollarësh për pesë vite, ndonëse gjatë asaj kohe pati oferta të shumta nga skuadrat më të mëdha evropiane.
Beckhami 36-vjeçar ende është i dashuruar në Unitedin, në skuadrën që nisi karrierën e futbollit dhe thotë se do ta kishte të vështirë që në Angli të luante për ndonjë skuadër tjetër.
"Unë gjithmonë kam thënë se Manchester Unitedi është dashuria ime dhe të luaj për një skuadër tjetër në Premier League do të ishte e vështirë. Unë jam i lumtur në SHBA dhe tash për tash jam lojtar i LA Galaxys. Në fund të stinorit do të vlerësoj nëse trupi im ende është në gjendje të luaj. Nëse po, atëherë do të vazhdoj karrierën", ka thënë Beckham.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 2:51 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response