|

Në Kosovë nuk pranohet marrëveshja KFOR-Serbi

Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar një marrëveshje të arritur ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, nëpërmjet të cilës ishte menduar t’i jepej zgjidhje e përkohshme krizës në Veri të vendit. Pak kohë pasi në bazën ushtarake “Nothing Hill” afër Leposaviqit, komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Buhler, shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic dhe ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic hartuan një marrëveshje trepikëshe, Qeveria e vlerësoi të papranueshme atë.
Sipas Qeverisë, duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur e autonom në vendimmarrje, kjo draftmarrëveshje është e papranueshme dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikëri masat e reciprocitetit me Serbinë. Qeveria e Kosovës mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i. Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 2:12 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response