Edhe Çiljeta infekstohet me “tallava”
Kohët e fundit, shumë media i kanë kushtuar Çiljetës një hapësirë mediatike sa i takon look-ut të saj, përherë të ndryshëm, sesa aktivitetit të saj muzikor. U bë shumë kohë tanimë, rreth një vit që këngëtarja seksi – që mund të konsiderohet pa hezitim edhe një kërcimtare profesioniste – nuk ka dalë me një klip të ri, ndërkohë që dihet se këngët verore janë pika më e fortë e saj, ka raportuar Standard.Fansat e saj pyesin lart e poshtë nëpër forume se përse Çili nuk po duket ende, aq më tepër që format e saj trupore tanimë janë përkryer falë vallëzimeve të “Dancing with the stars”. Në fakt, që prej mbarimit të këtij spektaklit, Çiljeta udhëtoi në drejtim të Londrës për të kaluar disa ditë me të dashurin e saj Aleksandrin, i cili i kishte munguar pa masë gjatë aventurës së saj disamujore me kërcimin.
Sipas parashikimeve, Çiljeta duhet të kishte nxjerrë në treg klipin e saj me Noizyn, por ky i fundit lançoi këngën “So hot” me Eni Koçin, ndërkohë që për projektin me Çilin nuk dihet se ç’bëhet. Por ja që nga këngëtarja që është bërë flokëkuqe, vjen lajmi që kënga e saj më e re, në bashkëpunim me Vanin – këngëtar që lëvron më shumë muzikën tallava dhe atë me ritme orientale – del së shpejti në ekranet muzikore.
Natyrisht, kjo këngë mban firmën e Flori Mumajesit dhe në të tilla kushte, nuk kishte si ai të largohej nga “tallavaja e famshme” që këtë vit është shndërruar në hit falë tij.

