Liarexia është çrregullimi më i ri në të ushqyer
Yjet botërore të kategorisë A kanë popullarizuar një epidemi të re të shoqërisë perëndimore.Kohët e fundit në publik gjithnjë e më shpesh mund të dëgjohet për Liarexinë, çrregullimi i fundit në të ushqyer, të cilin e kanë kristalizuar yjet e kategorisë A të obsesionuar për t’u dobësuar. Nga dita në ditë ata na e vërtetojnë se përkundër faktit se ata duken sikurse skelete që ecin, hanë “shujta të kuajve”. Liarexia siç tregon edhe vetë emri i saj, në mënyrë të veçantë, është e bazuar në një gënjeshtër. Në shtëpi, ata i përmbahen një dietë rigoroze dhe kanë kujdes për çdo kalori, ndërsa në jetën publike ia lejojnë vetes një varg ushqimesh, edhe pse e dinë se të nesërmen do të vuajnë pasojat prej tyre. Ekspertët tashmë këtyre simptomave u kanë vënë një emër.
Pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për një është çrregullim të vërtetë në të ushqyer apo jo, kjo është temë e debateve të ndryshme, pasi që kjo dukuri ngadalë po shndërrohet në një fenomen dhe kjo është më se e qartë.
Askush nuk u beson të famshmëve se me të vërtetë hanë fast fond të rëndë, pica dhe ëmbëlsira. Për të na bindur për të pamundurën, këto yje në ngjarjet zyrtare dhe evente tjera fotografohen me nofulla që sa munden përtypen dhe gojën plot me ushqim, ndërsa në tërë këtë proces aktrojnë shkëlqyeshëm, duke i dhënë kësaj edhe emrin DIPE - Documented Instance of Public Eating, përkatësisht, raste të dokumentuara të të ngrënit në publik.
“Yjet janë nën një presion të madh sepse nga ta në çdo situatë pritet të jenë model për të tjerët”, thotë psikoterapistja, Rachel Morris. Kur Kate Mos përqafoi dobësimin e saj si normal dhe të dëshirueshëm, u prit me ashpërsi nga vrojtuesit kujdestarë. Për këtë arsye, sot damat e njohura patjetër duhet të krijojnë një parafytyrim të të ushqyerit të shëndoshë, të llojllojshëm dhe të pasur, megjithëse ato janë pandërprerë në dieta drastike, të cilave u mungojnë shumica e substancave ushqyese.
Sikurse femrat e famshme edhe femrat e zakonshme e kanë përqafuar këtë parim. Britanikja Jane Traynor ka folur haptas për këtë. ”Nuk mendoj që kam çrregullim në të ushqyer, por jam ‘liarexike’. Jam e dobët sepse për këtë punoj shumë. Kurrë nuk ha bukë dhe pothuajse çdo ditë vrapoj. Por nëse porosis sallatë përderisa mikeshat tjera hanë makarona, marr një sërë vërejtjesh, si: ‘je mjaft e dobët, lejoja vetvetes’. Është më e lehtë që në shoqëri me to të hash shumë ndërsa ditën tjetër t’i kthehesh dietës normale”, ka thënë ajo.
Psikoterapistja Morris shpjegon se si gratë shpesh janë kritikuese ndaj ushqimit të përzgjedhur nga shoqet e tyre. “Nëse keni mbipeshë dhe përpiqeni të humbni kilogramë, ato do t’ju zmbrapsin nga ushqimi, e nëse jeni të dobëta, femrat tjera shpesh ndihen të provokuara nëse ju refuzoni ushqimin - thuajse po e theksoni mungesën e tyre të kontrollit.”
Të jesh i përkryer më nuk nënkupton vetëm mbajtje të dietës rigoroze - tani kjo nënkupton edhe mbajtjen e peshës, derisa në të njëjtën kohe krijohet përshtypja se po hani si një kalë. Në këtë mënyrë femrat lënë përshtypjen e figurës fenomenale dhe me një qëndrim të relaksuar sa i përket ushqimit.
“Përveç frikës nga kritikat, ekzistojnë edhe arsye të tjera psikologjike prapa Liarexisë”, thotë psikologu, James Lamper. “Shumë femra të cilat dëshirojnë të kenë një trup ideal dhe si pasojë kanë problem me të ngrënit, janë perfeksioniste. Ekziston një aspiratë e fortë për të garuar dhe për t’u krahasuar me femrat tjera, ato dëshirojnë të jenë të dobëta pa u vërejtur nga publiku përpjekjet e tyre të mëdha.”
Për të njëjtën gjë përpiqen të na bindin edhe yjet e kategorisë A, të cilat menjëherë pas lindjes zvogëlojnë peshën, gjoja se duke u brengosur për fëmijën, e në fakt këtë e arrijnë me anë të dietave rigoroze dhe me orë të tëra të kaluara në palestër, gjë të cilën doktor Yoram Inspector, këshilltar për çrregullime në të ushqyer, e ka përshkruar si fenomen të lidhur drejtpërdrejt me vlerat e shoqërisë moderne perëndimore. “Femrat të cilat vuajnë nga Liarexia kanë ardhur në atë fazë që të mund të ndihen në kontroll ose për të kontrolluar emocionet e tyre personale”, thotë dr. Inspector. Ky çrregullim zakonisht paraqitet pas ngjarjeve të caktuara stresuese, për shembull, martesës, ndërprerjes së lidhjes, shkurorëzimit, si dhe gjatë punësimit dhe pas lindjes.
Është po ashtu interesante se si Liarexia kryesisht u ndodh femrave, sepse marrëdhëniet shoqërore te meshkujt rrallë herë bazohen në rrëfimet për ushqimin ose shprehitë ushqyese. Meshkujt nuk kanë probleme me atë se a do të porosisin sallatë në shoqërinë e tyre me meshkuj ose një seri prej pesë ushqimesh. Derisa në takimet e grave, përderisa një nga shoqet është në dietë, tjetrës ia kujton se edhe ajo duhet të jetë, kështu që e para të mos të mendojë se ajo është grykëse, nëse përveç shujtës kryesore porosit edhe desert, ajo e bind tjetrën që përkundër dietës të hajë më shumë.
Me kaq shumë ndjenja komplekse të lidhura me shprehitë e të ushqyerit, a është fare e çuditshme që kaq shumë femra gënjejnë për këtë? Liarexia paraqitet si përgjigje e obsesionit gjithnjë e më të madh të grave për ushqimin dhe dietat. Perceptimi i trupit të tyre qartazi çon në një vetëmashtrim të keq, sepse shumica e femrave të cilat janë në dietë e gjejnë veten në një situatë kur e kanë të vështirë ta shpjegojnë se pse e aplikojnë një trajtim rigoroz nëse kanë peshë normale të trupit. Nutricisionistja, Shaleen Meelu, thotë se Liarexia sot është bërë përgjigje në këtë pyetje dhe se në esencë kjo është “mënyrë për t’u përshtatur me ndjenjat e atyre që janë përreth jush”.
E për këtë duhet të mos torturohemi më mes vete. Me rëndësi është të kuptohet se është e pamundur që Gweneth Paltrow me 38 vjet ta ketë trupin e një 16-vjeçare, bazuar në adhurimin e ushqimit të fërguar, njëjtë sikurse dobësimi i Victoria Beckham nuk ka lidhje me porcionet e kalit të cilat ajo thotë se gjoja i konsumon. Në vend se të shikohen pjatat e huaja dhe të përfliten miqtë e hollë ose të trashë përreth nesh, ndoshta është koha të pranojmë se shprehitë e të ushqyerit të të tjerëve janë ato që janë, sepse në fund të fundit ajo që ata hanë ose nuk hanë është vetëm çështje e tyre, dhe që secili nga ne t’i ruajë nervat dhe shëndetin e vet personal.
Posted by Faqja Informative Shqiptare
on 2:24 e paradites. Filed under
Shendetsi.
.
You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0.
Feel free to leave a response