Shkaktaret e kolles se tejzgjatur
Kolla kronike, ajo që zgjat më shumë se tetë javë dhe ua bën jetën shumë të vështirë personave që vuajnë nga kjo simptomë, mund të shkaktohet edhe nga një shqetësim në rrugët e frymëmarrjes që shfaqet gjatë gjumit, e ashtuquajtura gërhitje.Shpeshherë për doktorët mbetet një mister, megjithatë kohët e fundit, ata kanë filluar ta zbulojnë ngadalë: kolla kronike, ajo që zgjat më shumë se tetë javë dhe ua bën jetën shumë të vështirë personave që vuajnë nga kjo simptomë, mund të shkaktohet edhe nga një shqetësim në rrugët e frymëmarrjes që shfaqet gjatë gjumit, e ashtuquajtura gërhitje. Këtë e ka treguar një studim i kryer nga doktor Surinder Birring, i cili punon në departamentin e mjekësisë respiratore të spitalit “King’s College Hospital” të Londrës, në bashkëpunim me një grup australian. Ky studim është publikuar prej pak kohësh në ERJ, gazeta e “European Respiratory Society” (Shoqëria Respiratore Europiane).
Kollitja është metodë me anë të së cilës organizmi eliminon papastërtitë nga mushkëritë dhe rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Gjithashtu mund të vijë si reagim ndaj ndonjë ngacmimi në rrugët ajrore. Kolla nuk është sëmundje, por shpesh rëndësia e saj mund të përcaktohet vetëm kur zhvillohen simptoma të tjera. Ka shumë shkaktarë të cilët nxisin kollën, siç janë sëmundjet virale. Është normale të keni kollë kur jeni ftohur. Shpesh kollitja nxitet nga gëlbaza që kalon poshtë në fyt. Edhe infeksionet e mushkërive ose të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes mund të shkaktojnë kollë. Kolla kronike mund të jetë simptomë e pneumonisë, bronkitit, tuberkulozit etj., por edhe shenjë që keni ndonjë infeksion ose se po prekeni nga sëmundja obstruktive pulmonare kronike. Gjithashtu kolla kronike mund të jetë simptomë e refleksit gastroezofageal dhe t’ju zgjojë nga gjumi: zbrazjet e hundës bien poshtë në fyt. Kjo mund të shkaktojë kollë të vazhdueshme ose ndjesinë sikur keni nevojë vazhdimisht të pastroni fytin. Pas ftohjes, kolla e thatë mund të zgjasë disa javë më shumë se sa simptomat e tjera dhe shpesh përkeqësohet gjatë natës.Shkencëtarët kanë studiuar një grup prej 108 personash, të cilët kishin probleme me rrugët e frymëmarrjes gjatë natës në kërkim të simptomave që lidheshin me këtë situatë. Pasi larguan të gjithë ata që vuanin nga kolla kronike, e cila shkaktohej nga duhani, pirja e barnave të ndryshme, ose sëmundjet e tjera respiratore, identifikuan një grup prej 55 individësh: mes këtyre të paktën një e treta vuante nga kolla kronike e pashpjegueshme. Atëherë studiuesit arritën në përfundimin se është pikërisht gërhitja gjatë natës që sjell këtë shqetësim. Madje jo vetëm kaq, ata kanë zbuluar gjithashtu se lidhja mes gërhitjeve dhe kollës kronike është më e shpeshtë te femrat. Dëshmia e mëtejshme qëndron në faktin se mes pacientëve që nuk vuanin nga kolla kronike, përqindja e meshkujve arrin deri në 81 për qind, ndërsa e femrave në 19 për qind.
Kujdes ndaj refluksit
Njerëzit që gërhasin natën dhe vuajnë nga kolla kronike, ankohen edhe për simptoma të tjera: djegie stomaku gjatë natës (ky fenomen haset në 28 për qind të rasteve, ndërsa përqindja e personave që gërhasin, por nuk kanë kollë kronike arrin në 5%, rrufë (përkatësisht 44 dhe 14 për qind), dhembje gjatë gëlltitjes (përkatësisht 33 dhe 11 për qind) dhe therje në gjoks (44 dhe 19 për qind). “Studimi ynë, i pari i këtij lloji, tregon se kolla kronike është një simptomë e rëndësishme dhe shumë e përhapur mes personave që gërhasin shumë natën. Të tilla raste mund të lidhen me një refluks gastroezofag, që nga ana tjetër shoqërohet me gërhima”, ka thënë Birring. Por cila është lidhja mes gjithë këtyre simptomave? “Disa të dhëna tregojnë se kolla mund të shkaktohet edhe nga një inflamacion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, gjë që çon më pas në problemet me frymëmarrjen gjatë gjumit. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin e lidhjes me rrufën”, shton studiuesi.Cilido të jetë mekanizmi, e rëndësishme është që të kihet parasysh lidhja e mundshme mes kollës kronike e gërhitjes dhe këta dy faktorë të kërkohen te pacientët që vuajnë nga ky shqetësim: shpesh kolla mund të jetë simptoma e vetme e gërhitjes gjatë natës. Kjo lidhje nuk është shumë e njohur për doktorët dhe natyrisht që nënvlerësohet, por është e rëndësishme të njihet, sepse trajtimi i gërhitjes mund të çojë në largimin e kollës. Si? Me avull të nxehtë, një terapi që mund të praktikohet edhe në shtëpi.Kolla kronike është një shqetësim që mund të na e bëjë me të vërtetë të pamundur jetën. Përveç shqetësimit të përditshëm, mund të çojë në një izolim të vërtetë shoqëror: pacientët nuk guxojnë të shkojnë në kinema, teatër, ose kishë nga frika se mos papritur u fillon kolla dhe prishin qetësinë publike. Kjo simptomë mund të ndikojë për keq edhe në punë: mjafton të mendosh kontaktin që do të kesh me kolegët dhe njerëzit e tjerë. Deri më tani mjekët nuk arrinin të identifikonin shkakun të paktën në 40 për qind të rasteve. Falë studimeve është bërë e mundur kjo gjë.

