|

Bunjaku i premton shumë gola Nurnbergut

Sulmuesi kosovar Albert Bunjaku ka thënë se skuadra e Nurnbergut duhet të presë shumë nga ai në edicionin 2011/12 të Bundesligës së Gjermanisë, shkruan “Nordbayern.de” të enjten. Bunjaku 27-vjeçar ka gjasa të mëdha që këtë fundjavë të jetë në përbërjen e Nurnbergut për ndeshjen e javës së tretë të kampionatit gjerman kundër Borussia Dortmundit. Sulmuesi kosovar ka treguar formë të mirë prejse i është bashkuar ekipit në stërvitje, pas lëndimit që e mbajti jashtë fushe pothuajse një vit.
Bunjaku para dy ditësh shënoi golin e vetëm për ekipin gjerman në ndeshjen miqësore kundër Fenerbahçes, të cilën Nurnbergu e humbi me rezultatin 2:1. Kosovari ka shënuar gola edhe për ekipin e dytë të Nurnbergut, ndërsa në stërvitje ka treguar angazhim maksimal.
Ai bëri të ditur se ende nuk e ka arritur formën që e dëshiron për t’u treguar i suksesshëm në Bundesligë.
Ndeshja e fundit për Bunjakun në Bundesligë ishte ajo e edicionit të shkuar kundër Hamburgut (11 shtator) në të cilën lëndoi gjurin e djathtë.
Bunjaku prej vitit 2009 është pjesë e skuadrës së Nurnbergut. Në Bundesligë ka shënuar 12 gola. Para se të lëndohej ishte sulmuesi i parë i skuadrës. Ai ka luajtur gjashtë herë për përfaqësuesen e Zvicrës. Këtë vend e përfaqësoi edhe në botërorin “Afrika e Jugut 2010″.
Përveç Bunjakut, pjesë e Bundesligës janë edhe Beg Ferati, Altin Lala, Fanol Perdedaj e Odise Roshi.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 6:06 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response