Dënime qesharake për manipuluesit e votave
Dënimet me kusht dhe dënimet me gjobë prej 250-1500 euro janë ndëshkimet që më së shumti po shqiptojnë gjykatat komunale ndaj komisionarëve, të cilët manipuluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2010. Deri më tash numri i personave të akuzuar për manipulim të procesit zgjedhor është 333, prej të cilëve vetëm gjashtë janë duke e vuajtur dënimin me burg. Për një numër të konsiderueshëm të tyre gjykatat ende nuk kanë marrë vendime, kurse për të tjerët të pandehurit në pajtim me gjykatat janë pajtuar që dënimet e shqiptuara me burg t’i paguajnë me gjobë. Në një dokument të cilin e ka siguruar gazeta nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, shihet se në Gjykatën Komunale të Gjilanit, ku janë të akuzuar 12 persona, është zgjidhur vetëm një lëndë në bazë të së cilës një person është liruar, ndërsa një tjetër është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv me ankesë në Gjykatë të Qarkut në Gjilan. Në Gjykatën Komunale në Kamenicë numri i personave të akuzuar është dhjetë, prej të cilëve për gjashtë janë konfirmuar aktakuzat, ndërsa është zgjidhur vetëm një lëndë, nga e cila janë dënuar dy persona me 90 ditë, thuhet në dokument. Kurse dy persona të tjerë janë dënuar me nga tre muaj burg me kusht për dy vjet. Lëndë të pazgjidhura për manipulimet në zgjedhjet e 2010-s ka edhe në Komunën e Vitisë, ku nga Gjykata Komunale janë akuzuar dy persona, për të cilët lëndët nuk janë zgjidhur ende. Të akuzuar për manipulim të votave ka edhe në Komunën e Prizrenit, ku është akuzuar vetëm një person, aktakuza e të cilit ndonëse ishte konfirmuar ajo ishte hedhur poshtë. Një qytetar ishte akuzuar edhe në Komunën e Dragashit, por Gjykata Komunale ende nuk e ka zgjidhur lëndën. Lëndët nuk janë zgjidhur as për tre personat e akuzuar në Komunën e Pejës, edhe pse aktakuza kundër tyre është konfirmuar. Edhe në Gjykatën Komunale të Gjakovës ka lëndë të pazgjidhura, ku janë akuzuar 76 qytetarë dhe Gjykata Komunale ka konfirmuar një aktakuzë. Ndërsa ka zgjidhur vetëm një lëndë, duke shqiptuar dënimin me gjobë prej 250 eurosh. Me lëndë të pazgjidhura është edhe Gjykata Komunale e Prishtinës, ku për manipulim të procesit zgjedhor janë akuzuar 11 qytetarë, por deri më tash janë zgjidhur vetëm dy lëndë, njëra prej të cilave është dënim me kusht prej katër muaj në afat prej një viti, ndërsa për dënimin tjetër të shqiptuar nuk janë dhënë detaje.