|

Klubet e “varfra” të Superligës thyejnë rekordin për transferime

Drejtues të klubeve të Superligës së Kosovës në futboll gjatë këtij viti vazhdimisht janë ankuar se po përballen me vështirësi të mëdha financiare. Shumica e klubeve janë deklaruar se për stinorin e ri do të zvogëlojnë shpenzimet në masë të madhe. Por, kriza e paraqitur nga vetë klubet e Superligës nuk i ka penguar ato që gjatë kësaj vere të thyejnë rekordin për më së shumti transferime të realizuara gjatë një afati kalimtar, shkruan sot Koha Ditore. Deri të shtunën, kur edhe u mbyll zyrtarisht afati kalimtar i verës, klubet e kategorisë superiore kanë angazhuar 88 lojtarë. Kjo shifër sipas FFK-së është rekord për futbollin kosovar. Shifra mund të rritet edhe më shumë gjatë ditëve të ardhshme, kur angazhim presin të gjejnë lojtarët që nuk kanë kontrata.
“Ky afat kalimtar ishte më i pasur se të gjitha afatet e kaluara. Prejse ekziston FFK-ja nuk ka pasur më shumë lëvizje në klubet e Superligës”, ka thënë të shtunën Adem Çollakaj, zyrtar për transferimin e lojtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Të 12 klubet e Superligës kanë angazhuar lojtarë të rinj gjatë afatit të verës. Më aktivja ishte skuadra mitrovicase, Trepça, që angazhoi plot 16 lojtarë të rinj. Kampionia e vitit 2010 së fundi ka angazhuar sulmuesin Berat Hyseni. Më herët ka angazhuar edhe 15 lojtarë të tjerë, pesë prej tyre nga Shqipëria. Shifër dyshifrore të transferimeve ka realizuar edhe skuadra e kthyer në elitë, Gjilani. Ekipi që drejtohet nga Muharrem Sahiti, sipas FFK-së, ka angazhuar plot 12 futbollistë. Më të njohurit prej tyre janë Genc Sermaxhaj që së fundit kishte luajtur për Prishtinën dhe Ismet Ramushi që kaloi nga Drita. Ekipi tjetër gjilanas, Drita, është përforcuar me tetë futbollistë. Ndër të tjera, Drita ka marrë Berat Grabovcin që erdhi nga Finlanda dhe Erdin Hashanin nga Vëllaznimi.
Vëllaznimi, Trepça ’89 e Lepenci kanë sjellë nga tetë lojtarë të rinj. Dy reprezentuesit e Kosovës, Ilir Nallbani e Liridon Kukaj, kaluan te “xehetarët” pasi më parë u ndanë me Vllazninë e Shkodrës. Ndërsa portieri i përfaqësueses, Kushtrim Mushica, është kthyer te Vëllaznimi pasi i përfundoi kontrata me Renovën e Maqedonisë. Nga shtatë lojtarë kanë angazhuar Prishtina, Drenica e KEK-u.
KEK-u para fillimit të edicionit kishte bërë të ditur se nuk do të ndajë paga për lojtarët.
“Vendimi për të mos ndarë paga për lojtarët është ende në fuqi. Paga nuk do të ketë deri në momentin kur të mobilizohemi financiarisht. Lojtarët kanë treguar mirëkuptim për gjendjen e klubit dhe janë pajtuar që të luajnë pa kompensim. Ne do t’i bëjmë edhe një kërkesë korporatës për të përkrahur financiarisht klubin”, ka thënë të shtunën Istref Klinaku, kryetar i klubit KEK-u. “Ne kemi bërë vetëm një përforcim. Lojtarët tjerë të ardhur janë të rinj. Lojtarët luajnë për KEK-un për të mirën e karrierës së tyre. Ne u ofrojmë të gjitha kushtet për përparim”.
Më së paku lojtarë kanë angazhuar kampioni në fuqi, Hysi (3), Liria (2) dhe Besa (1).
Trajneri Arbnor Morina vlerëson se angazhimi i shumë lojtarëve të rinj dëshmon që klubet e Superligës nuk kanë stabilitet financiar. “Në fillim të kampionatit klubet mbledhin një shumë të parave dhe angazhojnë lojtarë. Problemet financiare paraqiten gjatë rrjedhës së kampionatit dhe për këtë arsye futbollistët mbesin pa u paguar për disa muaj në fund të kampionateve. Në futbollin kosovar nuk ka stabilitet financiar”, ka thënë Morina. Ai aktualisht nuk është i angazhuar në ndonjë skuadër. Më herët ishte trajner i Hysit. Ka punuar edhe te Prishtina e Trepça ’89. “Për shkak se klubet iu mbesin borxh, lojtarët detyrohen të lëvizin shpesh. Ata ndërrojnë skuadër nëse dikush u ofron 50 euro më shumë. Po ashtu synojnë që të kalojnë në klube ku besojnë se do t’i marrin të gjitha paratë që u janë premtuar. Por, gati në të gjitha klubet situata është e njëjtë”.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 3:41 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response