Kush s’del në barrikadë humb vendin e punës!
Edhe dita e shtunë ka zbardhuar dy arteriet e vendit (magjistralet) në veri të Kosovës të bllokuara nga barrikadat që ditë më parë i kanë vendosur banorë serbë. Në anën tjetër, nata ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. Shumë qytetarët janë shpërndarë mbrëmë pas tërheqjes së KFOR-it nga barrikada në fshatin Rudare, por disa sish kanë vazhduar të qëndrojnë në barrikada. Edhe ura mbi lumin Ibër është hapur për qarkullim të banorëve dhe të automjeteve, pas mbylljes së saj të premten në orët e pasdites.I ashtuquajturi shtab i krizës, që është formuar nga ana e strukturave paralele të Serbisë në veri të Mitrovicës, e që përbëhet nga anëtarë të Këshillit Nacional Serb, si dhe nga katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës, nga pjesëtarë të MUP-it, ata të Mbrojtjes civile, si dhe nga kreu i të ashtuquajturit qark i Mitrovicës, kanë urdhëruar banorët e Mitrovicës që në barrikada të kujdestarojnë me orar, kanë njoftuar burime të Kohës Ditore nga ajo pjesë e qytetit. Ky shtab ka urdhëruar banorët e Mitrovicës që t’i dalin në ndihmë banorëve të Zveçanit dhe të fshatit Rudare, duke qëndruar në barrikada, me qëllim që të mos lejojnë kalimin e KFOR-it dhe të forcave të tjetra ndërkombëtare e vendore të sigurisë. Sipas urdhrit, femrat janë të obliguara të qëndrojë nga 4 orë në barrikadën e Rudares, ndërsa meshkujt nga 6 orë. Gjithashtu, shtabi ka urdhëruar të gjithë qytetarët serbë që të ndërpresin pushimet vjetore dhe të kthehen në vendet e tyre të punës dhe në barrikada. Sipas këtij shtabi, gjatë orëve të natës, në barrikada duhet të qëndrojnë vetëm meshkujt. Nëse banorët serbë në veri të Mitrovicës nuk e respektojnë këtë urdhër të shtabit, ata do të largohen nga vendet e punës nëpër institucionet paralele shtetërore të Serbisë, që janë të vendosura në Kosovë.