|

Ban Ki-moon përsërit shqetësimin për gjendjen në veri

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, edhe një herë ka ripërsëritur shqetësimin e tij dhe të misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, për situatën në veri. Në raportin preliminar për punën tremujore të UNMIK-ut që Ban Ki-moon ua ka dorëzuar shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, theksohet se situata në atë pjesë të Kosovës është e ndjeshme dhe se të gjitha problemet duhet të tejkalohen me mjete paqësore.
“Në veri të Kosovës rritja e tensioneve mbetet shkak për shqetësim. Në këtë drejtim do të vazhdoj që të shpreh qëndrimin e vendosur se çështjet e ndjeshme që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës mund të zgjidhen vetëm me mjete paqësore, në bazë të konsultimeve me të gjitha komunitetet në terren dhe jo përmes veprimeve të njëanshme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të pengojnë progresin e arritur në dialog dhe që nxisin tensione, sikurse edhe për të punuar bashkë për të mos lejuar përkeqësimin e mëtutjeshëm të situatës”, thuhet në raportin e Ban Ki-moonit, që përfshin aktivitetet e UNMIK-ut dhe zhvillimet në Kosovë në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik. 
Në këtë raport nuk janë të përfshirë zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak, edhe pse kjo çështje ka qenë temë e konsultimeve në njërën prej takimeve të mbyllura të Këshillit të Sigurimit. Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për zbatimin e masave të reciprocitetit për mallrat serbe si kundërpërgjigje ndaj bojkotit disavjeçar të Serbisë për produktet, respektivisht vulat doganore të Kosovës. Në zbatim të këtij vendimi ekzekutivi i Kosovës më 25 korrik pati dërguar njësitë ROSU të Policisë për të vënë kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak, e që ishte pasuar me reagimet ekstreme të serbëve në veri, si pasojë e të cilave kishte humbur jetën polici Enver Zymberi, dhe njëra pikë ishte djegur, ndërkohë që qarkullimi nëpër rrugë ishte bllokuar me barrikada. Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, pati kërkuar që KS i OKB-së të mblidhet dhe të diskutojë rreth këtyre zhvillimeve, por një gjë e tillë ishte hedhur poshtë nga disa prej anëtarëve të përhershëm të këtij mekanizmi. Ndërkohë për të qetësuar situatën pati intervenuar komandanti i KFOR-it, Erhard Buehler, i cili ka arritur pajtueshmëri me autoritetet e Prishtinës, por edhe ato të Beogradit, për eliminimin e tensioneve dhe vendosjen e masave të përkohshme në dy pikat kufitare. 
Ndërmjetësimi i komandantit të KFOR-it nuk ka gjetur vend në raportin periodik të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, por në vend të saj vëmendje i është kushtuar lehtësimit të Brukselit në dialogun Prishtinë-Beograd, duke përshëndetur arritjen e marrëveshjeve të para.   
“Jam i kënaqur për të raportuar se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ka vazhduar me një ritëm intensiv gjatë periudhës raportuese dhe ka parë rezultatet e para konkrete tre muaj pas fillimit të tij. Mirëpres marrëveshjet e arritura në fushat e lirisë së lëvizjes, regjistrit civil dhe diplomat akademike dhe u bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen plotësisht në zbatimin e tyre”, ka shkruar Ban Ki-moon.
Ai ka shprehur bindjen se ky dialog ka potencialin e duhur për të kapërcyer dallimet mes palëve për të arritur deri te zgjidhja e çështjeve pezull, e të cilat kanë ndikim në jetën e përditshme të njerëzve.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 3:56 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added