|

Barcelona e RealMadrid gati për Supersfidën

Barcelona dhe Real Madridi do të përtërijnë rivalitetin në dy ndeshjet e Superkupës së Spanjës që luhen në prag të edicionit 2011/12 të La Ligas.
Dy skuadrat e mëdha spanjolle në edicionin e shkuar u përballën pesë herë, kurse të dielën do të zhvillojnë ndeshjen e parë të Superkupës në "Santiago Bernabeu" me fillim nga ora 22:00. Takimi i kthimit luhet të mërkurën në "Camp Nou".
Sulmuesi Lionel Messi rikthehet plotësisht i gatshëm dhe në formë të mirë për të ndihmuar Barcelonën të koleksionojë edhe një trofe pas titullit të kampionit në La Liga dhe Ligës së Kampionëve. Messi është i uritur për tituj, pas dështimit me Përfaqësuesen e Argjentinës në Copa America. Blerja e re e Barcelonës, kileani Alexis Sanchez pritet të debutojë ndaj Real Madridit, kurse nuk përjashtohet as debutimi i Cesc Fabregasit, të paktën në ndeshjen e dytë. Skuadra katalane tashmë ka arritur marrëveshje me Arsenalin për Fabregasin dhe pritet që gjatë këtyre ditëve ta zyrtarizojë atë.
Në duelin e parë të Superkupës, Barcelona pritet të jetë pa tre futbollistë, mesfushorët Xavi Hernandez e Sergio Busquets dhe mbrojtësin Gerard Pique. Busquets e Pique u dëmtuan në ndeshjen miqësore ndërmjet Italisë dhe Spanjës (2:1), kurse Xavi ka dëmtuar këmbën gjatë fazës përgatitore.
Portieri Victor Valdes ka thënë se testi i parë për dy skuadrat më të mëdha evropiane para fillimit të edicionit në La Liga do të jetë shumë i rëndësishëm.
"Nuk jam i brengosur për dëmtimet tona në mbrojtje. Kemi lojtarë tjerë që mund pa problem të luajnë në këtë rol dhe të tregohen të suksesshëm", ka thënë Valdes.
Barcelona prej vitit 2008 kur erdhi trajneri Pep Guardiola ka fituar dhjetë trofe në të gjitha garat.
"Nuk mund t'i harrojmë këto suksese, por tash është koha për suksese dhe synime të reja", ka thënë Valdes.
Në qendër të mbrojtjes te Barcelona në vend të Piques së lënduar pritet të aktivizohet mesfushori argjentinas Javier Mascherano.
"Jam i gatshëm të sakrifikojë veten në mbrojtje dhe këtë ia kam thënë edhe trajnerit. Kam përvojë edhe në këtë rol", është shprehur ai.
Ndërkohë, te Real Madridi në përbërje pritet të rikthehet mbrojtësi Sergio Ramos, kurse përforcimet e reja Nuri Sahin e Hamit Altintop do të mungojnë për shkak të lëndimeve.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho gjatë kësaj vere ka transferuar në "Santiago Bernabet" pesë futbollistë, përfshirë këtu edhe mbrojtësin e majtë portugez Fabio Coentrao. Për këtë të fundit Mourinho pagoi një dëmshpërblim prej 30 milionë eurosh.
"Kemi një ekip shumë të mirë, kështu që edhe me gjithë mungesat jemi plotësisht të gatshëm për duelin me Barcelonën", ka deklaruar portugezi Mourinho.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 4:34 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added