|

Në Jarinjë e Bërnjak kalohet mall me vlerë deri 175 euro

Secili që mbush shportat në shitoret e Serbisë me mall në vlerë deri 175 euro do të lejohet të hyjë me të në Kosovë.
Autoritetet kosovare kanë hequr dorë nga paralajmërimi për të aplikuar masë të veçantë për mallin jokomercial, i cili mund të bartet në automjetet që kalojnë portat doganore në Jarinjë dhe në Bërnjak. Por, nuk kanë gjetur një mekanizëm për të klasifikuar mallin komercial nga ai jokomercial.
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, pati thënë në mbledhjen e fundit të Qeverisë se dikasteri që drejton “ka filluar të përgatisë instruksione për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe forcat e KFOR-it, sidomos për dy zonat e kufizuara ushtarake, që do të përmbajnë vëllimin dhe sasinë, gjegjësisht listën e mallrave që lejohen për banorët e kësaj ane, në pamundësi të kalimit të mallrave komerciale”. Të premten ajo i ka thënë gazetës se nuk do të ketë nevojë fare për të tilla instruksione. Pjesëtarët e KFOR-it që kanë marrë përsipër kontrollin në këto porta, do të lejojnë sasinë e mallit që bartet në bagazhin privat të udhëtarëve, të njëjtë sikur në pikat tjera doganore.
“Do të veprohet sikurse në vendkalimet tjera. Konform rregullave të njëjta do të shkohet edhe në pikat kufitare 1 dhe 31”, ka thënë ministrja Kusari-Lila. “Kjo është vetëm sa për të mos e izoluar popullatën e asaj ane dhe që kanë interesim për të dalë”.
Pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli doganor, deri më 25 korrik ka qenë e mundur të futeshin mallra në Kosovë nëpërmjet pikave kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak. Doganierë nuk kishte aty. Por, në këtë datë janë vendosur përkohësisht, me urdhër të Qeverisë për të aplikuar ndaj Serbisë masën e reciprocitetit të bllokadës së mallrave.
Pas tensionimit të situatës në veri kur kjo masë nxiti reagimin e serbëve, KFOR-i mori nën kontroll të dyja pikat dhe i shpalli zona të kufizuara ushtarake ato.
Doganierë nuk ka më në këto pika. Ndërkaq, KFOR-i nuk lejon kalimin e mallrave komerciale. Megjithatë, banorët lejohen të bartin mallra që i blejnë në Serbi, por që nuk kanë qëllim tregtimi.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 4:04 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added