Veriu pa doganierë të Kosovës!
Kamionë me mallra kanë hyrë në Kosovë të enjten nëpërmjet portave kufitare 1 dhe 31. Kanë bërë një ndalesë 15-minutash në kufi dhe nuk i janë nënshtruar ndonjë kontrolli doganor. Doganierë s’ka më në këto pika. Doganat e Kosovës kanë konfirmuar se në këto porta kufitare me Serbinë mungojnë ekipet e tyre. “Aktualisht Doganat e Kosovës nuk kanë oficerë doganorë as në pikën 1 e as në atë 31”, ka konfirmuar Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave. “Është KFOR-i ai që ka marrë përsipër t’i ndalojë mallrat komerciale që hyjnë nga Serbia përmes këtyre dy portave”. Pas më shumë se tre vjetësh prej kur ishin detyruar të linin këto porta kufitare, doganierët kosovarë ishin kthyer më 25 korrik me mbështetjen e njësive speciale të Policisë, ROSU. Kryeministri Hashim Thaçi kishte dhënë autorizimin për të marrë në kontroll pikat doganore, në të cilat nuk zbatohej vendimi i Qeverisë për aplikimin e një mase reciprociteti me Serbinë, që kishte për efekt bllokimin e mallrave për ta kaluar kufirin. Prej kësaj kohe mallra komerciale nuk janë lejuar të hynin, ndërsa pasi serbë lokalë demoluan dhe dogjën pikën kufitare 1 në Jarinjë dhe tentuan ta bënin të njëjtën në atë 31 në Bërnjakë, KFOR-i i shpalli zona të kufizuara ushtarake dhe mori kontrollin mbi to. Kryeministri Hashim Thaçi që prej 10 ditësh ka përsëritur se doganierët do të vendosen aty përgjithmonë, por nuk ka folur për ta të enjten, në një mbledhje urgjente të Qeverisë që ka thirrur. Ndërkaq, zyrtarë qeveritarë kanë thënë të jetë bërë përjashtim vetëm të enjten, kur kanë lejuar kamionët me mallra për të kaluar nëpërmjet këtyre dy portave. “Përjashtimi mund të jetë vetëm dita e sotme, përderisa në të ardhmen nuk do të lejohen as mallra humanitare nëse ka një vlerësim se nuk ka krizë humanitare”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë.