|

Xherdan Shaqiri:I gatshëm të lëvizë

Xherdan Shaqiri ndihet i gatshëm të transferohet në një klub më të madh. Mesfushori kosovar thotë se ka fituar gjithçka me Baselin dhe se ka bërë përvojë të duhur ndërkombëtare, për ta ndërruar mjedisin. 19-vjeçari tregon se mundohet të jetë shembull për të rinjtë edhe jashtë fushës.
Xherdan Shaqiri ndihet i gatshëm ta bëjë hapin e radhës në karrierë duke u transferuar në ndonjë klub të njohur evropian, ku interesimi për të nga skuadrat e mëdha e sidomos ajo nga Bayern Muncheni, nuk mungon.
19-vjeçari, i cili së fundmi u shpall futbollisti më i mirë i vitit në Zvicër, nuk e përjashton mundësinë e largimit nga Baseli gjatë kësaj vere, në rast se arrin një ofertë konkrete nga klubi bavarez.
“Mediat çdo javë shkruajnë diçka, që unë dëshiroj të shkoj atje. Unë nuk jam duke i marrë me presion këto deklarata, por i marr gjërat me qetësi. Kam luajtur tri vjet në Basel dhe kam fituar tre tituj. Po ashtu, kam bërë edhe eksperiencë ndërkombëtare. Nëse do të duhej të largohesha tash, të gjitha palët do të ishin të kënaqura”, deklaroi Shaqiri për magazinën zvicerane, Blick.
Sa i përket çmimit të freskët që e fitoi, gjilanasi thotë se ai ishte rezultat i punës së madhe dhe të palodhshme që e bëri gjatë tërë vitit. Shaqiri është i vetëdijshëm se në një moshë të re, është në qendër të vëmendjes publike. Ai dëshiron të jetë shembull dhe model për të rinjtë edhe jashtë fushës.
Shaqiri është i famshëm në Zvicër. Për këtë, në adresë të tij arrijnë shumë letra postare nga fansat dhe fanset. Gjilanasi thotë se nuk i preferon shumë këto letra dhe se së pari ato i lexojnë prindërit e tij.
Përfaqësuesi zviceran njihet si lojtar me përgatitje të mirë fizike. Ai lëndohet shumë rrallë. “Unë gjithmonë hyj në dyluftime, kurrë nuk kam frikë nga lëndimet”, shtoi ai.
Ndërkohë, selektori Ottmar Hitzfeld është i kënaqur me temperamentin e stuhishëm të Shaqirit. Ky i fundit ishte akuzuar në të kaluarën për arrogancë, por kështu nuk mendon edhe trajneri gjerman. “Unë preferoj të kem në ekip një lojtar çapkën. Mos e limitoni Shaqirin”, tha Hitzfeld.
Ndeshjen e mbrëmshme miqësore ndaj Lihtenshtajnit, Shaqiri e sheh si mundësi të mirë për t’u përgatitur për duelin kualifikues për Euro 2012 ndaj Anglisë, që zhvillohet muajin e ardhshëm.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 3:04 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added