|

FSK-ja shumë afër kompletimit

Me rastin e  diplomimit të 148 rekrutëve të rinj ditën e premte,  Forca e Sigurisë e Kosovës është pothuajse afër përfundimit të procesit të kompletimit si forcë. Numri total i pjesëtarëve të kësaj force deri në fillim të gushtit ka qenë 2.164, ndërsa me rastin e diplomimit të 148 rekrutëve të rinj këtë të premte, numri i tyre ka arritur në 2.312. Nga këto shifra i bie që FSK-së i duhen vetëm edhe 188 pjesëtarë, për të arritur numri i tyre në 2.500, aq sa është e paraparë që kjo forcë t’i ketë në total.
Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe zëdhënës i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK), Ibrahim Shala, ka thënë se prej 148 rekrutëve që kanë diplomuar herën e fundit gjinia femërore është e përfaqësuar me 44 pjesëtare, ndërsa 104 të tjerët janë meshkuj.
“Ndërsa, nga përfaqësimi etnik, prej diplomimit të fundit, 128 janë shqiptarë dhe 20 të tjerë përfaqësojnë minoritet, përfshirë këtu serbët, turqit, boshnjakët etj.”, ka thënë Shala.
Ai ka thënë se në total të pjesëtarëve që janë pranuar deri më tani që prej formimit të FSK-së, prej tyre janë 2.129 shqiptarë dhe 183 minoritarë.
“E sa i përket përfaqësimit gjinor në total deri më tani nga pjesëtarët e FSK-së, 143 janë femra dhe 2.169 meshkuj”, ka thënë ai.
Nga konkursi i fundit që u pat hapur më 21 mars, për pranimin e rekrutëve të rinj, zyrtarët e FSK-së patën lajmëruar se do të pranohen 300 pjesëtarë, për të cilat vende patën konkurruar 4.565 të rinj, që i bie se për një vend po garonin 15 konkurrues. Por këtë të premte betimin e kanë dhënë vetëm 148 pjesëtarë të rinj. Shala ka sqaruar pse një gjë e tillë ka ndodhur.
“Nuk lidhet numri i të pranuarve me numrin e atyre që  janë në trajnim. Në trajnim pjesëtarët ftohen sipas kapaciteteve trajnuese që ka Komanda e Doktrinës dhe e Stërvitjes”, ka thënë Shala. Dhe ka njoftuar se në shtator do të fillojë etapa tjetër e trajnimit të rekrutëve të tjerë për t’u plotësuar numri aktiv i paraparë që kjo forcë t’i ketë.
“Procesi i rekrutimit do të përfundojë kur të plotësohet numri i tyre në 2.500 pjesëtarë aktivë të FSK-së dhe 800 të komponentit rezervë”, ka thënë ai.
Konkursi i fundit i hapur në mars nga FSK-ja, për regrutë të rinj, tek të rinjtë kosovarë pati zgjuar një interesim shumë të madh që të jenë pjesëtarë të kësaj force. Vetëm për 300 vende patën konkurruar 4.565 të rinj. Ky është konkursi i fundit për komponentin aktiv të FSK-së, në mënyrë që të  plotësohen në tërësi kapacitetet operacionale me personel.
Sipas Pakos së Ahtisaari, pesë vite pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, do të rishqyrtohen kufizimet e dhëna për FSK-në dhe më 2013 kësaj force edhe de jure t’i hapet rruga drejt transformimit në ushtri.
Zëdhënësi i FSK-së, Enver Dugolli, kohë më parë u pati shprehur se kjo forcë ka kapacitete për të marrë mbi supe edhe më shumë obligime sesa që ka tani, por që Ligji për Kodin e Sigurisë, tani për tani kaq lejon. Ai pati thënë se ky ligj po e ngufat FSK-në dhe pati kërkuar ndryshmin e tij sa më shpejt.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 2:48 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added