|

Thaçi: Ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të sjellë ndryshim kufijsh për rajonin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se, bllokimi i rrugëve në veriun e Kosovës do të marrë fund dhe zbatimi i marrëveshjes me NATO-n, për tejkalimin e situatës në atë pjesë të vendit, nënkupton vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën.
“Sa i përket bllokadave, ne jemi të informuar, jemi duke përcjellë situatën nga afër. Disa qytetarë serbë të veriut, ende janë të manipuluar nga strukturat kriminale, janë të ndikuar nga ata. Por, dëshiroj të theksoj se pika një e marrëveshjes mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe NATO-s, do të implementohet shpejt dhe bllokadat dhe bllokuesit i kanë orët e numëruara për hapjen e tyre. Në të kundërtën, qeveria e Republikës së Kosovës, do të shfrytëzojë të gjithë kapacitetin e saj kushtetues dhe ligjor për hapjen e rrugëve”, sqaroi kreu i qeverisë së Kosovës.
Në një intervistë, dhënë për Zërin e Amerikës, kryeministri kosovar hodhi poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës duke nënvizuar se çdo pretendim për ndryshim të kufijve, do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të së paku gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit.
“E ritheksoj se jo vetëm si qëllim, por as edhe si ëndërr nuk mund të realizohet ndarja e Kosovës siç ka pretenduar Beogradi. Por, ne kemi shfaqur edhe shqetësimin tonë dhe këtë e kemi konfirmuar me të gjitha autoritetet ndërkombëtare se çdo pretendim për ndryshim të kufijve të Kosovës, do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të së paku gjashtë shteteve në rajonin tonë. Dhe veriu i Mitrovicës, nuk është vetëm veri që i takon një problematike kosovare. Është një problematikë gjithë evropiane, por mund të them edhe gjithë ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Po ashtu kryeministri kosovar informoi se për herë të parë pas 12-vitesh, në pikën kufitare 1 dhe 31, asnjë person nuk mund të kalojë pa u identifikuar, kjo falë situatës së kufizuar ushtarake në këtë zonë. “As edhe një person apo makinë, nuk mund të kalojë pa u legjitimuar për armë apo veprimtarinë e tij që zhvillon. Në anën tjetër, kontrabanda në pikat 1 dhe 31 është ndalur 100 për qind. Kemi filluar për herë të parë të vëmë rend dhe ligj edhe në pjesën më të largët të territorit të Republikës së Kosovës. Tani e gjithë zona kufitare, kontrollohet, menaxhohet e monitorohet prej autoriteteve të NATO-s për herë të parë. Edhe rrugët dytësore, të cilat janë shfrytëzuar për kontrabandë, janë bllokuar dhe menaxhohen e kontrollohen prej autoriteteve të KFOR-it”, shtoi ai.
Thaçi siguroi se nuk ka rrezik për ndarjen e Kosovës. “Tani kemi një realitet krejt të ri. Kemi forcën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, është shprehur kryeministri kosovar.
Duke u ndaluar tek Veriu i Kosovës, Thaçi theksoi se Veriu nuk do të jetë në tryezën e bisedimeve në asnjë rrethanë.
“Zgjidhja më e mirë është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe është e domosdoshme. Dhe jemi të obliguar e do ta respektojmë kushtetutën. Pjesëmarrja e tyre në jetën demokratike. Pra formimi i komunës së re. Nëse jo, atëherë le të participojnë në një komunë. Le t`i zgjedhin udhëheqësit e tyre legjitim. Do të zhbllokohen rrugët. Kemi zonën e kufizuar ushtarake. Do të kemi prezencën e institucioneve ndërkombëtare dhe të Republikës së Kosovës. Edhe treni që qarkullon në relacionin nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës dhe anasjelltas do të kontrollohet nga policia e Kosovës e EULEX-it e përforcuar edhe prej NATO-s. Ndërkohë, nuk do të ketë qarkullim të mallrave komerciale”, nënvizoi kryeministri Thaçi.
Sipas tij, SHBA-ja, ka qenë mbështetëse e fuqishme për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 3:40 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added