|

Shqiptarët me Ramazan, braktiset plazhi i Durrësit

Turizmi “në agjërim”, të ardhura dimërore në verë
Duket si një faliment tredimensional. Ndihet në ujë, ajër dhe tokë. Breg pa njerëz, çadra të mbyllura dhe dhjetëra lokale janë bosh, ose ka vetëm një person. Edhe ai është kamerieri…
Ky është plazhi i Durrësit në gusht, në sezonin që gjithnjë konsiderohej si më “i nxehti”, si nga koha, por edhe fitimet. Aty ku dikur duhej të zgjoheshe herët për të zënë një shezlong, sot ta ofrojnë edhe falas. “Duam vetëm të mbledhim njerëz, se që nga çadra, mbase dhe vijnë e pinë diçka edhe te lokali apo të hanë te restoranti”, thotë Eva Jashari, pronare e re e një kompleksi të vogël në Durrës, pranë plazhit të quajtur “Agip”, sapo kalon Urën e Dajlanit. Megjithatë, për një orë askush nuk shkel aty. “Fati ters”, do të mendonin supersticiozët. “Keqmenaxhimi”, do të ndërhynin racionalistët. “Agjërimi”, do të saktësonin “të zotët e punës”, ata që po shkojnë drejt falimentimit të plotë me bizneset verore. Kriza më e madhe ndihet nga Ura e Dajlanit e deri në Konvaleshencë. Ndryshe është quajtur si “koloni e kosovarëve dhe maqedonasve” për shkak të pranisë së tyre të madhe në këtë zonë gjatë verës. Këto ditë, thuajse nuk janë më, fatkeqësisht… Fatmirësisht nuk është çështje zemërate me ne, por çështje besimi. Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë dallohen për përkushtimin ndaj fesë myslimane, sidomos për agjërimin, që është një nga pesë shtyllat e Islamit. Gjatë kësaj periudhe janë të ndaluara disa veprime, ndër të cilat edhe ekspozimi në plazh.
Naser Mustafa
Besimtarët myslimanë braktisin plazhin
Këtë vit, muaji i Ramazanit, që përmban në vetvete edhe agjërimin, që ka përkuar me nisjen e sezonit më kulmor të plazhit, 1 gusht. “Agjërimi në Islam nënkupton abstenimin/shmangien nga tri nevoja fizike bazë të njeriut – abstenim nga të ngrënët, të pirët dhe nga marrëdhëniet intime bashkëshortore – nga agimi (përafërsisht një orë e gjysmë para se të lindë dielli), deri në perëndim të diellit, përgjatë gjithë muajit të Ramazanit”, thuhet në literaturën kryesore për agjërimin, aty ku gjen edhe ndalimin kategorik të ekspozimit të trupit në plazh apo uljen në vende ku shërbehet alkool. Një ndalim që për biznesmenët në Durrës do të thotë xhiro verore të njëjta me ato dimërore. “Pati nisur shumë mirë vera. Qershori dhe korriku ishin plot me pushues, por në datën 1 gusht sikur u zhdukën të gjithë. Çadrat ngelën bosh, ndërsa as ditën dhe as në darkë nuk pati fare punë lokali dhe restoranti”, thotë Naser Mustafa, që prej pesë vitesh ka ngritur biznesin e tij “Venera-Drenica” prej gati 300 metrash katrorë buzë detit, aty ku ndodhet plazhi “Iliria”. I ardhur nga Tetova, 60-vjeçari kishte një klientelë të rregullt që e sillte vetë kryesisht nga Maqedonia, por edhe nga Kosova. Këtë vit nuk ia ka dalë dot mbanë. “Kush mundi erdhi në fillim të verës, tani në gusht nuk i detyroja dot, pasi e di që janë myslimanë të mirë dhe duan të kryejnë obligimet”, sqaron ai, ndërsa ka mbetur i vetëm me 3 kamerierë në 300 metra katrorë. Ngjitur me të janë disa bar-restorante të tjera, me sipërfaqe pak a shumë të njëjtë, ashtu si dhe fati i tyre veror. Lokalet me emra tipikë të Kosovës ose Maqedonisë, si “Prizreni”, “Gostivari”, “Gjilani”, “Prishtina” etj., janë bosh. Edhe pse orar dreke dhe temperatura shumë të larta, askush nuk ulet aty për të ngrënë apo për të shuar etjen me diçka. “Duket sikur edhe këta pushues që kanë ardhur janë në grevë urie”, thotë njëri nga pronarët e këtyre restoranteve, por pushuesit “hanë që ç’ke me të”, por siç duket e marrin bukën me vete.
Nga Kosova me bukë dhe ushqime
Xhemile Çala
Ka pasur disa apartamente buzë plazhit dhe i ka shitur të gjitha. Tani kërkon të shesë dhe disa të tjera që ka matanë rrugës kryesore. Sepse për Xhemile Çalën nuk ia vlen të mbash shtëpi bosh gjithë vitin vetëm për 3 muajt e verës. Fillimisht po, por këto 2 vitet e fundit del me humbje. “Plazhi i Durrësit është kthyer si para vitit 1990; me bukë me vete. Kjo zonë njihet zakonisht për pushues nga Kosova. Tani që është bërë rruga Durrës-Kukës ata vijnë më shumë me makina të tyre dhe marrin me vete gjithçka mundin. Kam parë që nga trastat e bukës, domatet, djathin, speca, kastravecë, lëngje të ndryshme e deri te uji. Janë familje të mëdha, mbi 5 veta, dhe kur vijnë këtu, madje ta vënë ata kushtin e pazarit për një dhomë. Dikur ka qenë minimalisht 20 mijë lekë nata, tani është ulur deri në 7-8 mijë lekë. ‘Si të duash. Për 2 orë ikim fare në Kosovë dhe po nuk gjetëm’, të thonë, dhe nuk ta bëjnë të gjatë”, shpjegon gruaja 40-vjeçare, që përveçse menaxhon apartamentet që i kanë ngelur, punon edhe në një dyqan me peshk dhe verë. “As këtu nuk ka punë. Për këtë vit po e justifikojmë për shkak të muajit të Ramazanit, por unë mendoj se është kriza ekonomike në përgjithësi. Nuk është se mungojnë vetëm blerësit nga Kosova apo Maqedonia, por edhe ata që jetojnë këtu”, thotë ajo. Si Xhemilja mendon edhe Selim Selimaj, si për çmimin e ulët të dhomave, ashtu dhe për xhirot e bizneseve rreth e rrotull. Banor i vjetër në zonën e plazhit “Apolonia” dhe kamerier në një nga lokalet buzë detit, ai thotë që në dimër xhiroja ditore ka qenë më e lartë sesa tani në verë. “Kam vite që jetoj dhe punoj këtu, në çdo stinë të vitit. Kjo është vera më e dobët për të ardhura. Nuk më kujtohet të kem parë kurrë kaq pak njerëz në plazh”, thotë ai dhe ndërkaq paraqet faturat e punës së ditëve të fundit. Ato nuk i kalojnë 60 mijë lekë, por edhe pa i parë ato, mund ta merrnim me mend xhiron ditore. Në lokalin luksoz me 100 metra katrorë ishim vetëm ne dhe kamerieri Selim…
Zona e tiranasve dhe durrsakëve
Në rrugëtimin tonë me biseda dhe foto nga Ura e Dajlanit deri te Konvaleshenca, situata ishte thuajse njësoj. Sipërfaqe të tëra me çadra të mbyllura dhe lokale bosh. Pasi kalon zonën e quajtur “Plepat” dhe vijon drejt Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, vërehet një lloj ndryshimi me zonat e fillimit, por nëse do ta krahasonim me vitet e shkuara, atëherë kriza është ulur këmbëkryq edhe këtu. Janë plazhet ku dikur edhe mund të ziheshe për një shezlong, t’i jepje bakshish punonjësit që të ta rezervonte, ta lusje, ndërsa këto ditë të lut ai ty. Nga rreshtat e mesit të shezlongeve dhe deri në fund, çadrat rrinë mbyllur. Megjithatë, ndryshe nga “zonat e kosovarëve”, pronarët që kanë biznesin në këto plazhe e justifikojnë ndryshe rënien e numrit të pushuesve. “Këtu zakonisht funksionin si plazh ditor dhe vizitorët më të shumtë janë nga Tirana. Edhe pushuesit afatgjatë janë nga Tirana ose qytetet afër Durrësit. Largimi i disa prej tyre mendoj se vjen nga liberalizimi i vizave. Kush ka pasur më shumë para, ka ikur jashtë shtetit. Ndërkaq, të mos harrojmë që kriza ekonomike botërore ka pasur ndikimin e saj edhe në Shqipëri. Njerëzit nuk kanë më para për të shpenzuar për qejf, mbajnë familjet me bukë”, thotë Behxhet Arifi, i cili është bashkëpronar i një hoteli pesëkatësh midis Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit. Fillimisht, më 1995-n, ai ka ndërtuar një shtëpi të vogël, ndërsa vit pas viti është zgjeruar dhe lartësuar. Por, teksa po bën dy dekada me këtë biznes, në mendje ka shitjen e tij. “Dua të shes pjesën time. Mendoj se do të vijë duke u bërë më keq nga viti në vit”, thotë për të ardhurat ai, por më shumë thekson shifrën që do ta shesë: “Pa 500 milionë lekë në dorë, as që bëhet fjalë që ta jap”. As që bëhet fjalë edhe ta kundërshtosh për shifrën. Kjo është kriza e kësaj vere pranë bregdetit të Durrësit, aty ku buka merret me vete dhe flitet për miliona…
Dyqanet e plazhit drejt falimentit
Pronari Brija: Është viti më i zi për tregti në plazh
Bekim Brija duke treguar çmimet nën kosto
Çmime më të ulëta nga sa i kanë blerë në magazinat e shumicës. Dyqanet përgjatë rrugës nga Ura e Dajlanit deri te Konvaleshenca duket se kanë të njëjtin fat si lokalet buzë detit: falimentimin.
Produktet ushqimore, por sidomos ato të veshjeve, po shiten nën kosto. Janë çmime që tashmë po konkurrojnë edhe dyqanet e tregtarëve kinezë në Shqipëri, të cilët njihen për mall të lirë. Syze dielli të reja për 500 lekë, shapka për 1000 lekë dhe lodra nga më të ndryshmet për fëmijë me çmime që duken si të pabesueshëm në këtë zonë që dikur ishte më e shtrenjta. “Mos u çudit. E kemi nxjerrë mallin në shitje komplet nën kosto”, thotë Bekim Brija, djali që shet në dyqanin e familjes së tij, ndërsa mbështetet nga e motra: “Është viti më i zi për tregti këtu në plazh. Do ta mbyllim fare dyqanin, pasi nuk kemi më punë. Sikur kanë avulluar dhe njerëzit”. Si familja Brija, që tregton kryesisht veshje dhe artikuj për fëmijë, janë edhe supermarketet. Pronarët e tyre ankohen për rënie të xhiros ditore. “Ka shumë më pak njerëz se vitet e kaluara. Por edhe këta pak që janë, nuk blejnë shumë gjëra. Duket sikur i marrin ushqimet me vete a ku di unë…”, thotë Kristofor Çelepia teksa ngre supet me çudi dhe vijon të ecë ashtu edhe për disa momente të tjera. “Nuk është vetëm dyqani im kështu, nuk është se po ikin njerëzit prej meje. Pyeti, pyeti të gjithë, jemi bërë për të kyçur dyert”, shton ai. Ndërkaq, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi gjatë vitit 2010 ishin 1.2 miliardë euro, nga 1.3 miliardë euro që kishin qenë në vitin 2009, ose me një ulje rreth 100 milionë euro. Ndërsa viti 2011 e sheh në një renditje më të lartë Shqipërinë përsa i përket sektorit të turizmit, por siç duket në këtë optimizëm shifrash nuk bën pjesë plazhi i Durrësit. Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur këtë vit Shqipërinë 19 vende më lart (vendi i 71-të), në krahasim me vitin 2009 (vendi 90), vit me të cilin bëhet edhe krahasimi në raport që ka lidhje me konkurrueshmërinë për turizmin për vitin 2011. Sipas kësaj renditjeje, e cila vlen për 139 vende, Shqipëria është kuotuar me 4.01 pikë, pas Libanit dhe përpara Republikës Dominikane, Indonezisë, Gjeorgjisë, Egjiptit e fqinjit Maqedoni.
Currilat
I ka mbijetuar krizës së turistëve. Është e vetmja zonë në plazhin e Durrësit që nuk ka pësuar rënie të vizitorëve gjatë verës. Kjo për faktin se vizitorët e këtij bregu janë vetë durrsakët. Edhe pallatet e pakta të ndërtuara rreth kësaj zone, zakonisht janë të blerë nga vendasit dhe përdoren kryesisht vetëm gjatë verës. Ndërkaq, në dimër, po ashtu
ka frekuentim të vazhdueshëm për shkak të disa restoranteve të njohura aty.
Te fituarit
Në gjithë këtë “luftë për mbijetesë” të bizneseve, duket  endacakëve dhe lypësve po u prin paksa fati. Për shkak të muajit të Ramazanit, pushuesit e mbetur shfaqen zemërgjerë kur vjen puna për t’u falur diçka nga kuleta e tyre. Sidomos kur bëhet fjalë për argëtim të improvizuar të momentit; një zhurmë pa ritëm që vjen nga rënia e daulles, shoqëruar me një gajde. Kjo është muzika e plazhit 2011, që u pagua më së shumti nga pushuesit.
Panorama

Posted by Faqja Informative Shqiptare on 3:36 e paradites. Filed under . You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Feel free to leave a response
mesime

Recently Commented

Recently Added